Rreth Shtëpive Shkolla

Sistemi shtëpi-shkolla

 

Rezistenca civile ishte e mishëruar në sistemin shtëpi-shkolla dhe konsiderohet të jetë shtylla e rezistencës gjatë viteve 1990 në Kosovë. Ndryshimet e reja kushtetuese të aprovuara pas vitit 1989 shkaktuan revokimin e autonomisë arsimore të Kosovës, me anë të së cilës vetë akti i të shkuarit në shkollë u bë epitomë e kundërshtimit të hapur ndaj humbjes sistematike të të drejtave. Kjo pasoi me segregimin e tërësishëm të të gjitha niveleve të arsimit në gjuhën shqipe. Sa i përket rezistencës civile paqësore të viteve 1990, nuk kishte asnjë pikë kthese, asnjë vendim strategjik kyç, përkundrazi pati një sërë ngjarjesh dhe veprimesh formative: greva e minatorëve dhe marshi në vitin 1988 dhe 1989; protesta masovike paqësore dhe thirrje për tranzicion demokratik mes viteve 1990 dhe 1992; themelet e një shoqërie civile vibrante  –  themelimi i mediave të pavarura, organizatat e të drejtave të njeriut, lëvizjet e grave, partitë politike, shërbimet shëndetësore, etj.; si dhe organizimi më masovik, sistematik i sistemit arsimor në shtëpi-shkolla.

 

Të penguar nga hyrja në hapësirat e shkollës, mësimdhënësit, studentët dhe nxënësit filluan një sërë protestash ditore në oborret e shkollave dhe në kampusin e Universitetit të Prishtinës. Semestri vjeshtor për vitin 1991 u humb. Duke u përballur me mundësinë e humbjes së një viti të tërë shkollor, strategji të ndryshme u testuan dhe u propozuan. Mësimdhënësit e shkollave fillore filluan të ftonin klasat në shtëpitë e tyre ndërsa të tjerët u ftuan nga prindërit e nxënësve. U propozua vendimi për të testuar sistemin shtëpi-shkolla në shtëpi dhe hapësira private. Deri në janar 1992, gjithsej 3,000 shtëpi private dhe hapësira të ndryshme u vunë në përdorim për të vënë në funksion sistemin shtëpi-shkolla.

 

Këshilli i Arsimit të Kosovës vazhdoi të ushtronte të drejtën që u takonte sipas Kushtetutës së vitit 1974. Arsimi në Kosovë ishte orientuar në dy rrugë legale dhe institucionale, studentët shqiptarë dhe mësimdhënësit e tyre vazhduan të funksionojnë në kuadër të sistemit legal të mëhershëm të vitit 1974 gjersa nxënësit dhe mësimdhënësit serb miratuan një plan të ri mësimor (kurrikulë). Pjesa dërmuese e organizimit ishte rezultat i përpjekjeve të Lidhjes së Mësimdhënësve Shqiptarë (LASH). Implementimi ishte një përpjekje e përbashkët nga Ministria e Arsimit në ekzil, Sindikata e Pavarur e Arsimit, LDK-së dhe partive tjera politike.

 

Gjatë viteve 1992-1999 shkollat e mesme ishin të organizuara në tre formate:

 

  1. Në hapësirat e tyre shkollore gjatë viteve 1993-1999 (6 shkolla të mesme në Prishtinë, Gllogovc, Malishevë):
  2. Në objektet e shkollave fillore me periudha (në Lipjan, Mitrovica, Gjilan, Gjakovë etj.),
  3. Në shtëpi-shkolla (të gjitha komunat e Kosovës).

 

Metodat e punës për zhvillimin e mësimit në kushte dhe rrethana të jashtëzakonshme të shtëpive-shkolla janë përpiluar nga Halim Hyseni. U propozun tre metoda veprimi për shtëpi private dhe hapësira tjera, si vijon:

 

Varianti A

Ky variant u aplikua për të gjithë studentët të cilët nuk ishin të përjashtuar nga objektet shkollore (në disa shkolla u ndërpre vetëm pagesa e pagave të mësimdhënësve ndërsa mësimi vazhdoi në mënyrë sporadike.)

 

Varianti B

Ky variant u aplikua për shkollat të cilat mbanin klasa në dy apo tre gjuhë mësimi, në dy apo tre ndërrime. Fillimisht ishte paraparë për shkollat e mesme, të cilat zhvillonin mësimin në hapësirat e shkollave fillore. Mund të kombinohej më variante apo nënvariante tjera.

 

Varianti C

Ky variant ishte parashikuar për shkollat që ishin përjashtuar nga hapësirat e tyre dhe ishin të detyruar të mbanin procesin mësimor në shtëpi private. Kohëzgjatja e orës mësimore ishte paraparë të jetë fleksibile, varësisht nga varianti i veprimit. Sa i përket variantit C, kohëzgjatja e orës mësimore ishte shkurtuar në 30 minuta dhe ishte e aplikueshme vetëm për lëndët themelore.

 

Në Prishtinë, shtëpitë-shkolla ndodheshin kryesisht në zona si Kodra e Trimave (Vranjevc), Arbëria (Dragodan), Kodra e Diellit (Aktash) dhe Velania. Megjithatë, kishte shtëpi-shkolla edhe në vende tjera të Prishtinës, si në Kalabri (Emshir), Lagjja e Spitalit, Tasligje etj.

 

Në vitet pasuese pas 1991/1992, shkollat e mesme mund të shfrytëzonin të gjithë infrastrukturën e shtëpisë, duke përfshirë të gjitha dhomat, me qëllim të organizimit të procesit mësimor. Pronarët i huazuan ato falas, megjithatë në disa raste ata gjithashtu mbuluan të gjitha shërbimet publike, si mbeturinat, ujin, telefonin dhe energjinë elektrike. Nga ana tjetër, departamentet e Universitetit të Prishtinës i mbajtën klasat e tyre kryesisht në katet përdhesë, ose bodrumet e shtëpive, dhe herë pas here në garazhë, dhe në disa raste atyre iu desh të paguanin edhe një pjesë të qirasë, veçanërisht gjatë tre viteve të fundit.

 

Institucionet shtetërore vepronin gjithashtu në shtëpi private (p.sh. Ministria e Arsimit-LASH “Naim Frashëri”, Pleqësia e Arsimit, Sekretariati Komunal i Arsimit – Këshilli Komunal i Arsimit, Këshilli i Financimit, Këshilli Shëndetësor), institucionet arsimore (Instituti Pedagogjik, Instituti Botues i Teksteve dhe Mjeteve Mësimore – Libri Shkollor), Institutet Shkencore (Instituti i Historisë, Instituti Albanologjik, Instituti i Ekonomisë) dhe Akademia e Shkencave dhe Arteve.

 

 

 

 

 

Në maj 2018, Komuna e Prishtinës dha njoftimin se njëra nga shtëpitë që përmbylli diplomimin e dhjetë gjeneratave të nxënësve të shkollave të mesme mes viteve 1992 dhe 1999, do të transformohej në Muze ‘Shtëpia-Shkollë e Herticëve’. Muzeu Shtëpi-Shkollë është aktualisht në ndërtim e sipër.

 

 

1990   Mes datave 18 dhe 23 mars, diku 4,000 -7,000 fëmijë në 13 komuna raportuan simptome të helmimit. Një konzorcium i përbërë nga mjekët shqiptarë dhe serbë hetuan rastin mirëpo nuk arritën pajtueshmëri nëse shkaktari ishte neurotoksini. Një laborator i Ministrisë së Drejtësisë në Francë gjithashtu testoi mostrat, fillimisht duke e konfirmuar pastaj duke e tërhequr deklaratën, siç raportohet nën presion politik, duke ofruar dëshmi për toksifikim me gazëra helmues, gjegjësisht sarin.

 

1990   Viti akademik u shënua me urdhërin për ndarje fizike të hapësirës në shkolla dhe Universitet.

 

1990 mars, studentët shqiptarë të Universitetit u larguan me forcë nga konviktet.

 

1990   Më 8 gusht Parlamenti i Serbisë shfuqizoi tërë legjislacionin arsimor të miratuar nga Kuvendi i Kosovës, për të imponuar një kurrikulë uniforme për të gjithë Serbinë. Mësimdhënësit në Kosovë vendosën të vazhdojnë punën e filluar në hartimin e kurrikulës, të miratuar nga administrata e Krahinës Autonome duke u referuar në kushtetutën e vitit 1974.

 

1990   janar – pagat e të gjithë mësimdhënësve dhe personelit shkollor u ndërprenë. Masat e dhunshme administrative u aplikuan në të gjitha shkollat e mesme duke rezultuar në përjashtimin masovik të të gjithë drejtuesve shqiptarë të shkollave.

 

1990   më 9 qershor, Motrat Qiriazi filluan projekte të shkrim-leximit në rajonin e Hasit, Prizren, dhe vazhduan punën me shkrim lexim dhe fuqizim të grave përgjatë një dekade.

 

1990  Për dy muaj në shtator dhe tetor, mësimdhënësit dhe nxënësit u mblodhën në oborret e shkollave për të protestuar masat e segregimit.

 

1991 Deri në gusht, autoritetet e reja shkarkuan 6,000 mësimdhënës të shkollave të mesme.

 

1991   në shtator, mësimdhënësit, studentët dhe nxënësit shqiptarë u ndaluan për të hyrë në shkolla, për shkak që policia serbe dhe drejtori I ri refuzuan qasjen e tyre në institucione arsimore. Sindikata e Pavarur e Punëtorëve dhe Lidhja e Mësimdhënësve Shqiptarë, duke përfshirë Munish Hysenin, organizoi një takim për të propozuar strategjinë e arsimit, me akademikët Eshref Ademaj, Fehmi Agani, Pajazit Nushi, Adem Limani, dhe Halim Hyseni (Departmenti i Pedagogjisë). Shkolla e parë shtëpi u themelua në Pejë me emrin “7 shtatori” për nder të Kushtetutës së Kaçanikut.

 

1991  më 2 shtator, fëmijët, mësimdhënësit, dhe prindërit arritën në shkollë, në përpjekje të re për të hyrë në hapësirat shkollore, për tu përballur me policinë e armatosur që kishin bllokuar hyrjen.

 

1992   në janar shkollat fillore u rihapën duke garantuar shkollimin fillor sipas Kushtetutës së Jugosllavisë. Shkollat mbetën të ndara, gjersa mësimdhënësit, personeli dhe shërbimet ende nuk paguheshin nga shteti.

 

1992   20 janari shënoi fillimin zyrtar të sistemit shtëpi-shkolla.

Fëmijët e shkollave fillore u lejuan të hyjnë në hapësirat shkollore, në anën tjetër shumica e shkollave të mesme nuk u lejuan të shfrytëzojnë hapësirat shkollore.

 

1992   Universiteti i Prishtinës, pas një vit mësimi dhe klasash të ndërprera, në mars filloi vitin akademik tërësisht në kuadër të sistemit shtëpi-shkolla.

 

1992   Duke kërkuar me këmbëngulje qasje në arsimim, nxënësit dhe prindërit u mblodhën në shtator për të rihyrë në shkolla duke protestuar në mënyrë paqësore para shkollave.

 

1992   për 6 vitet e ardhshme disa shkolla fillore (41 nga gjithsej 441) dhe pothuajse të gjitha shkollat e mesme (60 nga gjithsej 66) funksionuan në sistemin shtëpi-shkolla.

 

1993   Republika e Kosovës, Ministria e Arsimit në ekzil, filluan ekzekutimin e pagave për mësimdhënës; fillimisht u dhanë paga simbolike në vlerë 20 Marka gjermane në muaj, dhe pastaj kah viti 1997 u rritën në 150–160 DM për nivelin fillor dhe të mesëm dhe 180 DM për arsimin e lartë.

 

1993   Demonstrata për qasje në objekte shkollore vazhdoi edhe gjatë 12 dhe 13 tetorit, policia përdori forcën dhe gazin lotsjellës kundër studentëve.

 

1993   Republika e Kosovës lëshoi një apel për asociacionet dhe institucionet ndërkombëtare, ku thuhej: Procesi arsimor për Shqiptarët në periudhën 1991–93 u përcjell me represion të tmerrshëm. Si rezultat i terrorit nga shteti serb, 18 nxënës, dy mësimdhënës, një drejtor dhe tre prindër janë vrarë, dhe dy prindër janë plagosur. Policia serbe rrahu dhe mori në pyetje 2,000 mësimdhënës dhe drejtorë shkollash dhe disa nxënës të shkollave fillore dhe të mesme; përvec kësaj 140 mësimdhënës dhe gjashtë nxënës u dënuan me 20–60 ditë burg.

 

1996 më 1 shtator, Comunità di Sant’Egidio, udhëheqi negociatat për arritur marrëveshjen mes dy presidentëve, Milosevic dhe Rugova, duke shpallur kthimin e studentëve dhe mësimdhënësve shqiptarë në shkolla. Marrëveshja nuk u zbatua kurrë.

 

1996   më 16 dhjetor, në demonstratën masovike që u mbajt në Beograd, u mbajt një minutë heshtje për të përkujtuar vdekjen në paraburgim të mësuesit shqiptar të Kosovës.

 

1996   Fushata Italiane për Kosovën kishte bërë përpjekje për të zhvilluar një bashkëpunim ‘trepalësh’ (shqiptaro-italiano-serb) për projektet arsimore, dhe për të krijuar një hapësirë për takime në Prishtinë. Pax Christi Flanders and Netherlands organizuan një sërë takimesh në radhë të parë me aktivistët apo organizatorët rinor, një lidership në nivel komuniteti. The Norwegian Nansen Peace Academy (Akademia Norvegjeze e Paqes Nansen) pati në kurset e tyre dhjetë javëshe pjesëmarrës nga të dyja komunitetet, serbë dhe shqiptarë të Kosovës.

 

1997   Rreth 25 përqind të nxënësve nuk e përfunduan shkollën fillore por kishte edhe një hendek tjetër mes atyre që kishin përfunduar arsimin fillor dhe atyre që u regjistruan në shkollë të mesme. Kjo i afektoi sidomos vajzat në komunitetet rurale.

 

1997    diku rreth 18,000 mësimdhënës dhe 330,000 nxënës (krahasuar me 376,000 më parë) vazhduan me shkollim.

 

1997 më 1 tetor, studentët e përkrahur nga Rektori I Universitetit të Prishtinës, Prof. Dr. Ejup Statovci, organizuan protestën e parë masovike në Prishtinë. Protesta ndodhi pas gjashtë viteve të rezistencës passive të inicuar nga LDK.

 

1997   më 28 nëntor, Ushtria Çlirimtare e Kosovës bëri paraqitjen e saj të parë publike në funeralin me shumë pjesëmarrës për përcjelljen Halit Gecit, mësues në shkollë fillore që ishte vrarë nga policia serbe.

 

1998   në shtator viti shkollor ndërprehet në tërë Kosovën ndërsa fillon edhe ofenziva ushtarake serbe.

Më shumë

Intervistat

Zijadin Gashi

Zijadin Gashi – njëri nga organizatorët e sistemit shtëpi-shkolla. Ka krijuar një arkivë të detajuar të periudhës e cila është publikuar në monografinë “Mbijetesa dhe pavarësia e shkollave fillore në Prishtina 1990-1999”.

Abdyl Gashi

Abdyl Gashi – drejtor i shkollës së mesme Sami Frasheri 1990-2003. Ai drejtoi shkollën dhe ndihmoi në tranzicionin në sistemin shtëpi- shkollë dhe u bë një përkrahës i fuqishëm për ruajtjen, dokumentimin dhe promovimin e përvojave të sistemit.

Shyhrete Matoshi

Shyhrete Matoshi – ish-mësuese e shkollës fillore. Ajo ishte një nga mësueset e shumta që ishin pjesë e klasave të para të organizuara si përgjigje ndaj mbylljes së shkollave për nxënësit shqiptarë. Mësuesit e shkollës fillore, pothuajse të gjitha gra, filluan të mbanin mësim duke i ftuar nxënësit në shtëpitë e tyre si klasa ose duke shkuar në  shtëpitë e studentëve për të dhënë mësim.

Mynish Hyseni

Mynish Hyseni, një nga organizatorët kryesorë të sistemit shtëpi-shkollë, nënkryetar i LASH (Lidhja e Mësuesëve Shqiptarë).

Mimika Loshi-Dobroshi

Mimika Loshi-Dobroshi ishte studente e shkollës së mesme Sami Frasheri mes viteve 1992-1996 dhe anëtare e një grupi rock me të gjitha vajza. Ajo ndan përvojat e saj se si ishte të jetosh si grua e re në Prishtinë të segreguar gjatë viteve 1990.