Koha, 13/02/1991, Shëmtimi i së bukurës, Eqrem Basha

Koha, 13/02/1991, Shëmtimi i së bukurës, Eqrem Basha

Kultura e hororit dhe terrorizimi i kulturës. Pushtimi i Radiotelivizionit ishte themeli i kësaj simbolike të errët i shkallëzimit dhe pushtimit të kulturës kosovare. U larguan nga puna gazetarët, personeli informativ, muzikantët, kompozitorët e regjisorët të cilët mbanin gjallë jetën kulturore për një publik mjaft besnik. Për ta vazhduar dhunën ndaj kulturës kosovare, u sulmua edhe “Kosova film” ngase nga ata pak filma që krijonte, nuk kishte asnjë film në gjuhën serbo-kroate. 

Ndalimi i të vetmes gazetë të përditshme “Rilindja” filloi me largimin e sekretarëve shqiptarë nga BVI-ja Krahinore e Kulturës. Pastaj këto BVI të shëndrruara në fonde ndrydhnin paranë e kulturës. 

Edhe Teatri Popullor Krahinor i Prishtinës, pësoi nga reformat e reja dhe pasoi ndalimi i shfaqjeve. Teatrit tjetër, i dyti në tërë hapsirën kosovare, i’u shterrën burimet financiare dhe u detyrua të vetë-dorëzohej.

Një hap më tutje është Biblioteka Universitare, Instituti i Historisë, Arkivi i Kosovës, bombardimet e njëpasnjëshme, me të cilat insistohej të shkatërrohej shkenca e re shqiptare.

Nga një situatë e tillë në pozitën më të vështirë ishin puntorët kulturorë, krijuesit dhe artistët të cilëve i’u mbyllën shtigjet e veprimtarisë.